Përdorim cookies dhe teknologji të ngjashme për të përmirësuar përvojën tuaj në faqe, për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni Politikën tonë të Privatësisë dhe përdorimin e cookies.
Erion Xhaibra është një ekspert i njohur në fushën e të drejtave të njeriut dhe integrimit social, me fokus Romët, me një përvojë të gjerë institucionale, shtetërore, organizata vendase dhe ndërkombëtare. Z. Xhaibra ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme për më shumë se 15 vjet, duke filluar që nga puna vullnetare në komunitet e deri te pozicionet drejtuese në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka bashkëpunuar me organizata si Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros), Terre des Hommes, ERGO,Ternype, UNDP dhe të tjera, ku ka dhënë kontribut si lektor, koordinator, këshilltar dhe drejtues projektesh. Është diplomuar në Shkenca Politike nga Universiteti Europian i Tiranës, ka përfunduar Master Profesional në Shërbime Sociale dhe Komunitare dhe Master Shkencor në Edukim në Vazhdim në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjithashtu, ai ka ndjekur studime teologjike online pranë International School of Theology and Leadership, ku është diplomuar në programin “Bachelor in Theology in Church Ministries”, duke thelluar angazhimin e tij në çështje të ndërgjegjes sociale dhe etike.
Margit Jica është jurist i diplomuar në Universitetin Aristoteli të Selanikut me Master në Shkenca Juridike. Ka mbi 10 vite përvojë si specialist menaxhimi në Spitalin Hygea në Tiranë, si dhe eksperiencë si jurist në Bashkinë e Tiranës dhe në sektorin privat.
Ai zotëron shkëlqyeshëm anglishten, greqishten, italishten dhe rumanishten. Është anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe aktiv në komunitetin arumun si dhe eksperience te gjate ne fushen e te drejtave te njeriut dhe te minoriteteve. Që nga qershori 2023, është përfaqësues i komunitetit arumun në Komitetin e Pakicave Kombëtare pranë Kryeministrisë së Shqipërisë.
Llazo Kucuqi lindi dhe u rrit në fshatin Livinë, Bashkia Finiq . Arsimin fillor e kreu në fshatin e tij, ndërsa arsimin e mesëm e vazhdoi në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Panteli Sotiri” në Gjirokastër. Ai ndoqi studimet universitare në Departamentin e Filologjisë Greke të Universitetit të Gjirokastrës, duke fituar një bazë të fortë në gjuhën dhe kulturën greke. Nga viti 2002 deri në vitin 2015, ai punoi në Ambasadën Greke, duke ofruar shërbimet e tij në përkthim dhe interpretim midis greqishtes dhe shqipes, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit greko-shqiptar. Pastaj, nga viti 2019 deri në vitin 2022, ai shërbeu si punonjës në Bashkinë e Finiqit, duke forcuar funksionimin e qeverisjes vendore.
Si një anëtar aktiv i Minoritetit Kombëtar Grek të Shqipërisë, Llazo Kucuqi mori pjesë me qëndrueshmëri dhe etikë në përpjekjet shoqërore dhe arsimore për të mbrojtur të drejtat e komunitetit. Ai besonte thellësisht në ruajtjen e gjuhës, arsimit dhe trashëgimisë kulturore greke, dhe kontribuoi me punën e tij në promovimin dhe forcimin e vazhdueshëm të pranisë greke në rajon. Ai flet rrjedhshëm greqisht (gjuha amtare), shqip dhe anglisht.
Arjan Lile ka një përvojë të madhe me shoqërinë civile që prej vitit 1992 për pakicën Egjiptiane në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai është i angazhuar me grupet e interesit dhe stafin për bashkëpunimin dhe konsolidimin e dialogut ndëretnik dhe ndërkulturor. Z. Lile ka qënë asistent në zyrat e Avokatit të Popullit ku ka shërbyer si këshilltar vullnetar pranë ish Avokatit të Popullit. Arjan Lile ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie në institucionet e arsimit dhe formimit profesional publik në Tiranë.
Gjithashtu, është vlerësuar në vitin 2023 me titullin “Ambasador i Paqes” nga “Ambasada e Paqes” në Tiranë, për kontributin e tij ndër vite. Z. Lile, është diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale, në Bachelor për “Punë Sociale” dhe në Master Shkencor në degën “Organizimi Komunitar”. Ai zotëron çertifikime të vazhdueshme për çështjet socio-politike, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci. Ndër të tjera, ai është njohës i katër gjuhëve të huaja si: Anglisht, Italisht, Gjermanisht, Turqisht. Z. Lile ka qënë kandidat për deputet në vitin 2006. Kariera akademike dhe formimi profesional, kanë ndikuar në rritjen e performancës në hartimin dhe zbatimin në fushën e politikëbërjes.
Marjana Felah është përfaqësuese e pakicës kombëtare maqedonase pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare, funksion që e ushtron që nga viti 2022. Me një përvojë të pasur në administratë publike, diplomaci dhe sektorin financiar, ajo ka shërbyer për më shumë se shtatë vite si Asistente e Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Shqipëri. Ajo është diplomuar në financë dhe kontabilitet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master. Znj. Felah zotëron aftësi të avancuara në menaxhim administrativ, raportim dhe komunikim ndërkulturor. Flet rrjedhshëm shqip dhe maqedonisht, dhe ka njohuri shumë të mira të gjuhës angleze. Ka qenë aktive në aktivitete vullnetare për ruajtjen dhe promovimin e kulturës së pakicave, përfshirë përkthimin dhe leximin e lajmeve në gjuhën maqedonase në RTSH. Puna e saj karakterizohet nga përkushtimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nxitjen e tolerancës dhe përfshirjen e pakicave në jetën publike.
Marinko Çullafiq është një nga figurat më të angazhuara dhe përfaqësuese të Pakicës Kombëtare malazeze që jeton në Republikën e Shqipërisë. Ai ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Histori-Gjeografisë, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Pas kthimit nga emigracioni në vitin 2010, ai nisi angazhimin në mbrojtje të të drejtave të komunitetit malazez si anëtar i Asamblesë së Shoqatës “Alba-Montenegro”, me qendër në Shkodër. Në vitin 2018, së bashku me një grup intelektualësh me origjinë malazeze, themeloi në Tiranë shoqatën “Komuniteti Malazez në Shqipëri”, ku u zgjodh kryetar. Në vitin 2020, kjo shoqatë u pranua si anëtare e përhershme me të drejtë vote në FUEN (Unioni Federal i Minoriteteve në Evropë), organizata më e madhe evropiane për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Në korrik të vitit 2025, Ministria për Diasporën e Malit të Zi e nderoi me çmimin më të lartë “Për ruajtjen e identitetit kombëtar malazez”, në vlerësim të kontributit të tij të veçantë në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe historisë së kësaj pakice.
Hasimin Keçi ka një përvojë të pasur në administratë publike, arsimin e lartë, shoqërinë civile dhe sektorin privat. Ai është diplomuar në inxhinieri ekonomike në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate shumë të larta. Ka ndjekur studimet në programin master shkencor inxhinieri industriale me profil menaxhim dhe vlerësim projektesh në Universitetin Europian të Tiranës duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera. Me mbarimin e studimeve master, në nëntor 2021, fillon punën si pedagog. Z. Keçi zotëron aftësi të avancuara në menaxhim administrativ, menaxhim projektesh, raportim dhe komunikim ndërkulturor. Flet rrjedhshëm shqip dhe boshnjakisht, dhe ka njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe spanjolle. Është gjithashtu njohës i gjuhëve italiane dhe turke. Prej vitit 2021 aktivizohet si ekspert në projektet e BE për ngritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë. Ka qenë aktiv në aktivitete vullnetare për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe të drejtave të pakicës së minoritetit boshnjak që prej vitit 2016, përfshirë përkthimin dhe leximin e lajmeve në gjuhën boshnjake në RTSH dhe punën si mësues vullnetar i gjuhës boshnjake për fëmijët e atij komuniteti. Puna e tij karakterizohet nga përkushtimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nxitjen e tolerancës dhe përfshirjen e pakicave në jetën publike.
Znj. Eni Jakoja është përfaqësuese e pakicës kombëtare serbe pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare. Ajo është e angazhuar prej vitesh në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicës serbe në Shqipëri, me një fokus të veçantë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të këtij komuniteti.
E diplomuar në Financë-Bankë pranë Universitetit Europian të Tiranës dhe me studime të mëtejshme për gjuhë serbe në Fakultetin Filologjik të Beogradit, znj. Eni Jakoja ka një formim të gjerë profesional në fushën e financës dhe përkthimit. Ajo ka një përvojë të konsoliduar në administratën publike, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile. Prej vitit 2015, shërben si përkthyese zyrtare e gjuhës serbo-kroate, e licencuar nga Ministria e Drejtësisë.
Përmes punës së saj, znj. Eni Jakoja përfaqëson me dinjitet dhe përkushtim interesat e pakicës serbe, duke kontribuar në promovimin e diversitetit kulturor dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Milena Selimi, e lindur në Tiranë, Shqipëri, ka një karrierë të gjatë në gazetari, përkthim dhe në menaxhim media. Aktive në gazetari, dramaturgji dhe panele e punëtori përkthimi, ka marrë pjesë në programe si “Writer-in-Residence Program”, European Theatre Prize, TIFF, Çmimet KULT, Festivali POETEKA, Balkan Media Magazine, TRADUKI, CEATL. Në vitin 2024 fitoi çmimin “Përkthimi më i mirë” në Panairin e Librit, Tiranë për veprën “Kohëstrehim” të autorit Georgi Gospodinov.
Që nga viti 2021, ajo është Drejtoreshë Artistike e Festivalit Ndërkombëtar Letrar për të Rinj “Tirana Gate” në Tiranë. Në vitin 2023 ajo iu bashkua stafit të Komitetit për Pakicat Kombëtare në detyrën e anëtarit, përfaqësuese e pakicës bullgare. Nga viti 2024 jep kontributin e saj në mësimin e gjuhës bullgare në shkollën e së dielës “Hristo Botev”, Tiranë. Ajo ka një diplomë në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë dhe ka përfunduar një specializim në Gazetari Televizive në Universitetin “Kliment Ohridski” në Sofje.