Komiteti për Pakicat Kombëtare shpall listën e përfituesve të mbështetjes financiare për projekt-propozimet e dorëzuara në kuadër të Thirrjes për vitin 2026, me temë: “Trashëgimia si urë bashkëjetese”.
Mbështetur në VKM 769 datë 15.12.2021 për “Kriteret e mbështetjes së nismave dhe projekteve që synojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, tradicional e fetar dhe kriteret e përzgjedhjes për financimin dhe administrimin e fondit për pakicat kombëtare”,
– Thirrja për projekt-propozime e Komitetit për Pakicat Kombëtare për vitin 2026, qëndroi e hapur nga data 26 shkurt – 05 Maj 2026.
Kjo Thirrje mbështet projekte dhe veprimtari që nxisin, ruajnë dhe promovojnë vlerat e trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë në përputhje me prioritetet e thirrjes si:
- Promovimi i trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare nëpërmjet organizimit të festivaleve dhe aktivitete kulturore/ndërkulturore të pakicave kombëtare; botime dhe kërkime shkencore në gjuhën përkatëse të pakicave kombëtare; ekspozita dhe tryeza të rrumbullakëta ndërkulturore të pakicave kombëtare
- Artizanati, tradita dhe diversiteti kulturor i pakicave kombëtare; ruajtja dhe dokumentimi i veshjeve tradicionale të pakicave kombëtare; panaire artizanati dhe kulinarie
Fondi i Pakicave Kombëtare në total është 12.000.000 (dymbëdhjetë milion) lekë sipas Ligjit nr. 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, për 2 prioritete, të ndara në 5 kategori totale.
Komisioni, në funksion të përdorimit sa më afektiv të fondit publik, rritjes së përfshirjes së organizatave përfaqësuese të pakicave kombëtare si dhe maksimizimit të impaktit të financimit, vlerësoi mundësinë e shpërndarjes së fondeve, duke respektuar renditjen sipas pikëzimit dhe cilësinë e projekteve të paraqitura.
Në këtë Thirrje, paraqitën propozimet e tyre 14 shoqata dhe persona fizikë, nga të cilët u shpallën fitues 12 projekte. Një prej aplikantëve fitues u tërhoq nga procedura e mëtejshme e financimit, ndaj numri përfundimtar i projekteve që do të mbështeten financiarisht nga Komiteti për Pakicat Kombëtare (KPK) është 11.
Lista e plotë e përfituesve gjendet në linkun bashkëngjitur.









