NJOFTIM PËR APLIKIM PËR PËRZGJEDHJEN DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE TË KOMITETIT PËR PAKICAT KOMBËTARE

Në mbështetje të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të vendimit nr.286, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave të përzgjedhjes së kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komitetit për Pakicat Kombëtare”, të ndryshuar, bëhet njoftimi për aplikim për përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të Komitetit për Pakicat Kombëtare, greke, malazeze, maqedonase, boshnjake, rome dhe egjiptiane.

Procedurat e hapura publike të konkurrimit bëhen nga Kryeministria, bazuar në pikën 4, të nenit 20, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.

Shpallja për aplikim do të jetë e hapur për një afat 30-ditor.

Kandidatët për anëtarë të KPK-së duhet të plotësojnë këto kritere të posaçme:

a) Të njohë gjuhën e pakicës kombëtare përkatëse (vetëm për ato pakica kombëtare që kanë gjuhën e tyre);

b) Të ketë eksperiencë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet vjetërsie në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:

  • Kërkesë për aplikim;
  • Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
  • Mbështetje, me rekomandim nga të paktën 1 shoqatë e regjistruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.8788, datë 7.5.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar, që në statutin e saj ka të përcaktuar si objekt të veprimtarisë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicës kombëtare përkatëse, sipas përcaktimit në pikën 2, të nenit 3, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”;
  • Kopje e letërnjoftimit;
  • Dëshmia e penalitetit;
  • Curriculum vitae në gjuhën shqipe (secila faqe e firmosur);
  • Dokumente të diplomimit (të noterizuara) si dhe dokumente të përvojës në fushat e kërkuara;
  • Dokument që të provojë njohjen e gjuhës së pakicës që do të përfaqësojë (vetëm për ato pakica kombëtare që kanë gjuhën e tyre);
  • Kandidatët, individualisht: mbështetje, me rekomandim, nga të paktën 5 (pesë) individë, që janë personalitete me kontribute të pakicës kombëtare përkatëse në Republikën e Shqipërisë;
  • Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
  • Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.)

Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 21 tetor 2026.

Dokumentet e aplikimit për anëtarë të Komitetit të Pakicave Kombëtare të dorëzohen në adresën, si më poshtë vijon:

Adresa: Kryeministria

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1

Tiranë, Shqipëri

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm

Inkurajojmë të gjithë të interesuarit për aplikim!

sqSQ